Parfumet e pranverës

MAY ISSUE – REVISTA CLASS


Pranvera vjen ndryshe në Tiranë, ku lulekumbullat që çelin në disa rrugë të qytetit të kujtojnë “Cherry Blossom” në kopshtet e Kiotos në Japoni; tjetër aromë vjen toka në pranverë kur shpërthen bari i parë në Skoci, pas dimrit të athët; ndryshe ndihet në Toskanë, ku gjelbërimi në muajt prill dhe maj është panorama jeshile më afër parajsës imagjinare; Provence, në jug të Francës, bëhet gati të valëvitë levandat që ngjyrosin me lejla fushat dhe luginat e rralla, ndërsa në Holandë kopshtet “Keukenhof” të lënë pa frymë…


Amsterdami, veçanërisht në pranverë, ofron shumë për udhëtarët kureshtarë, duke nisur nga shëtitjet mes kanaleve që përshkojnë qytetin, i cili ngatërrohet herë pas here me Venecian. Këtu nuk ka maska karnavalesh dhe ndërtesa gotike, por pallate të ngjitur me njëri-tjetrin, me tulla të kuqe, shumë ura, varka që ikin dhe vijnë, dhe lule… shumë lule. Për ata që i kanë pasion, markata e luleve të tundon ta blesh e ta dhurosh të gjithën jo vetëm sepse në atdheun e tyre ato kushtojnë pak, por sepse janë vertet një “Love Story”.

Class Atelier19

Amsterdami është i bukur në freskinë e mëngjesit, ku mund të shijosh nga pastiçeritë e ngrohta një briosh të ëmbël, të hipësh mbi një bar lundrues dhe të gjerbësh kafenë e mëngjesit, por edhe në muzg, kur dielli perëndon dhe ti përsëri tundohesh; të qëndrosh për një aperitiv mbi ujë në varkë, ose mbi urë, aty ku të rinjtë mblidhen, parkojnë biçikletat me koshat me lule shumëngjyrëshe dhe puthen; puthen sidomos mbi “urën e dashurisë”, një simbol i njohur për romantikët. Aty pranë, një shitës ambulant shet çdo ditë qindra kyça. Njerëzit i lidhin dhe i kyçin për fat në anët metalike të urës, hedhin çelësat në ujë, ndërsa bashkia e qytetit i çmonton dhe i grumbullon në mbrëmje.


Ka plot muze, histori, kulturë, shije estetike dhe design, arkitekturë, ka gjallëri, “good vibes”, njerëz të bukur, zhurma e jetës gumëzhin aty. Ajo që gjen, ajo që lë dhe ajo që mbetet tek ty, kur ikën, mund të të përmblidhet në një fjalë të vetme – frymëzim.

Lisse

Por ne po ikim tani nga qyteti për t’u zhvendosur në periferi, në Lisse.

Në një kopsht shumëngjyrësh ku nuk mungon asnjë varietet peoniash apo tulipanësh. Pak më tutje, mund të vizitosh një qytezë përrallore me mullinj që era i vë në lëvizje, siç fryn flokët e vajzave romantike që nuk mund t’i rezistojnë shkrepjes së një fotoje.

Miliona tulipanë me ngjyra të feksura që çelin me trokitjen e prillit, të ftojnë në një tablo shumëngjyrëshe që të kujton tablotë e Van Gog e Claude Monet.

E parë nga ajri, gjithçka duket surreale, si një telajo e pikturuar nga talenti i një artisti me shije të spikatur.

Kilometrat e tërë të fushave ku mbillen tulipanë të të gjitha llojeve dhe ngjyrave vijnë tek ne si mesazhi më i bukur i dashurisë, që toka mund t’u dërgojë njerëzve.

Donim të festonim magjinë e feminilitetit në një mënyrë speciale, por edhe këtë raport besimi të heshtur mes vajzave të ateliesë që vizatojnë, presin, qepin dhe qëndisin, dhe vajzave që veshin fustanet tona. Prej shtatë vitesh, i kemi parë të gjitha krijimet e dala nga Class by AV si pjesë të një kopshti shumëngjyrësh. Menduam të ideonim një set me fotografen Orsola Mema dhe stilisten Livia Myftari, pikërisht në kryeqytetin e tulipanëve.

Dilema jonë ishte: Mos janë lulet klishé në pranverë? Apo ato janë gjithmonë “in”, pavarësisht stinës dhe vendit? Në koleksionin e sezonit të ri të fustaneve që sapo kanë dalë nga atelieja jonë, aroma dhe delikatesa e luleve janë pikërisht frymëzimi që ka ushqyer këtë projekt qysh prej fillimit.

Nga copat me fluide që bëhen njësh me natyrën e deri tek ato më “të pabindurat” që u vijnë pas linjave të trupit, në koleksionin e fustaneve “class” ka një lule për secilën prej jush, një fustan të dedikuar për çdo trup dhe shije.

Nuk kemi përjashtuar as qëndisjen me kristale që shkëlqejnë dhe as xixat elegante, sepse në “kopshtin” tonë, lulet çelin njësoj edhe për vajzat që guxojnë, edhe për ato që meritojnë vëmendje pa rënë në sy.

Përfshirja e tekstileve transparente që ekspozojnë hiret femërore është gjithashtu një tendencë që e gjeni në koleksionin e ri; një fustan diku i mbuluar me artin e punës së dorës dhe diku i zbuluar për ta bërë më sensuale siluetën tuaj, në mbrëmjet dhe eventet ceremoniale.

Leave a Reply

Your e-mail address will not be published. Required fields are marked *

WhatsApp chat