Alketa dhe Jonida: Helium, një ëndërr mëndafshi

Është një ndjesi sa e largët, aq edhe e afërt ajo që të krijon magjia e një vendi si Maroku. E largët, sepse të kthen pas në kohë, një déjà vu me misteret e gjyshes dhe sëndukun e saj mbuluar me një copë të bardhë mëndafshi, por e afërt sepse e ke kaq pranë vetes vendin e mistereve që të kthen koha. Bashkë me mëndafshin, edhe prekjen e lehtë të dy botëve.

Të udhëtosh drejt një bote të largët me mistere nuk është aq e pamundur në kohën tonë, por nëse destinacioni është Marrakeshi, udhëtimi nuk mund të jetë i krahasueshëm me asnjë tjetër. Maroku, ëndrra dhe bekimi i artistëve, frymëzimi i njerëzve krijues, ka qenë dhe mbetet kryefjalë e ngjyrave të gjalla, atje ku flenë bashkë tradicionalja me modernen; ku gjen shpirti paqe e ëndrra ngjitet lart, në ajër…. si HELIUM.

Marrakeshi, ëndrra e prekshme e qytetit të kuq

Një vend sa legjendar, aq edhe real, sa i vjetër aq i ri, ku flenë bashkë tradita me modernen, nostalgjia e ëmbël e vendeve të largëta, toka magjike që prek ëndrrën e çdo turisti në të gjithë botën, oaz frymëzimi për të gjithë ata që e zgjedhin ta vizitojnë. Ndërtesat dhe pallatet me të kuqen e pjekur, “unaza” e mureve që shkojnë deri në 19 kilometra, parqet e panumërt dhe tempujt e adhurueshëm u japin frymë turistëve dhe e bëjnë më të paharrueshëm Marokun.

I themeluar rreth 1000 vjet më parë në buzë të Saharës, ky qytet i tregut jugor u zhvillua më shumë se të gjitha qytetet e mëdha të Magrebit, një vend i Trashëgimisë së Unesco-s. Por Marrakeshi nuk është thjesht e vetëm një pjesë e historisë së ngurtësuar që turistët vijnë për ta prekur dhe shijuar nga afër. Ky vend ka gjithçka që një turist do dëshironte të përjetonte në pushimet e tij. Në çdo cep të qytetit mund të shohësh ata që ndryshe njihen si njerëzit e gjarpërinjve, i bien fyellit dhe krijojnë nota muzikore ndërsa gjarpërinjtë “kërcejnë”.

Nuk ishte një udhëtim i zakontë ai i Alketa Vejsiut dhe Jonida Maliqit drejt Marrakeshit, i mundësuar nga Globus Travel. Zgjedhja nuk ishte rastësore pas projektit që ideuan dhe projektuan së bashku. Po aq i pazakontë ishte edhe “Helium”, projekti të cilin, Alketa dhe Jonida, dy mikeshat e vjetra, prezantojnë në këtë intervistë në Class.

Si ju lindi ideja për të bërë biznes bashkë?

Mendoj që në jetë gjërat nuk ndodhin kurrë rastësisht. Ishte kopertina e revistës Class ajo që më ndërlidhi me këtë rrugëtim me Alketën dhe stafin e saj të mrekullueshëm. Jeta më ka mësuar të jem mirënjohëse dhe të mos harroj kurrë mbështetjen e të tjerëve, sidomos në momente kyçe. Siç ishte suporti i saj gjatë eksperiencës sime në Eurovision. Ndaj, jo më kot, intervistën e parë pas Eurovisionit ia dhashë revistës Class dhe pas këtij bashkëpunimi, një ndër mesazhet që mora ishte nga Alketa. Duke më përgëzuar, më shkroi këto fjalë që për mua ishin si një “ding dong” për të rizgjuar këtë pasion. “Ti duhet të bëhesh designer, zemër. Duhet të bësh një brand tëndin. S’ka si ty të dytë. Prandaj Karl të ndiqte. Je ‘gifted’ për këtë punë si askush tjetër”. Nuk e mendova dy herë dhe kështu vendosëm të krijonim koleksionin “Capsule”, ku Alketa, duke pasur tashmë një ndërrmarje të tillë, ëndrrën time mund ta bënte realitet. Besimi i saj më mbushi dhe menjëherë i dhamë drejtim punës sonë të përbashkët.

Çfarë ju ka munguar të dyjave nga fëmijëria që do ta gjejmë patjetër në këtë koleksion?

Fëmijëria jonë ka qenë e pasur, plot aktivitete artistike. Jemi rritur bashkë në skenë, por në ato kohëra askush prej nesh nuk e kishte luksin për të zgjedhur apo për të krijuar veshjet dhe materialet e përshtatshme. Me pak fjalë, në vitet ’90, vendi ynë ishte i varfër dhe ajo që ne sjellim sot nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë kohë, përveçse besimit, respektit dhe punës reciproke që kemi kundrejt njëra-tjetrës.

Mëndafshi është një nga ato materialet e dëshiruara skenike dhe plot dritë e shkëlqim, që e kemi parë vetëm në ekran gjatë fëmijërisë sonë. Ndërsa sot krijuam këtë linjë kaq fluide, kaq të dashur, si një përkëdhelje që i jep lëkurës sonë jo vetëm për në skenë, por edhe për të përditshmen tonë dhe për ato femra që do e duan, dhe do e ndjejnë rehatinë elegancën dhe ndjeshmërinë që të dhuron mëndafshi 100 për qind.

Keni frikë se partneriteti në biznes mund të “rrezikojë” miqësinë mes jush?

Jo, kurrsesi nuk e kemi këtë frikë, këtu po flas dhe në emër të Alketës duke marrë në konsideratë miqësinë tonë të hershme prej më shumë se dy dekadash dhe duke mos harruar që të dya i kemi realizuar qëllimet tona personale si në imazh, ashtu sikurse edhe në biznes. Ne e nisëm këtë bashkëpunim për një qëllim të vetëm. Dëshira për të qenë së bashku dy femra krenare plot pasion, energji dhe dashuri kundrejt së bukurës – asaj që dëshiron çdo femër.

Pse prezantimin zgjodhët ta bëni nga Marrakeshi?

Për lokacionin apo për mënyrën se si ta marketonim këtë risi tonën, është Alketa mendja dhe realizuesja. E ku më mirë sesa Marrakeshi, një ndër vendet me IN të momentit dhe kaq i përshtatshëm për këtë koleksion plot hijeshi, mund të realizohej photoshoot-i për të ekspozuar këto veshje?

Çfarë gjetët në Marrakesh (element konkret, detaj frymëzimi) që do ta përdorni me çdo kusht në këtë koleksion?

Fillimisht u krijuan veshjet dhe pasi i diskutuam gjerë e gjatë se si mund t’i ofronim ato në publik, vendosëm për këtë vend magjik, ku mëndafshi është kryefjala. Prej këtij vendi, kaftanet janë tashmë një trend i përjetshëm, ashtu sikurse edhe vendet si kopshti i famshëm i Yves Saint Laurent, në të cilin realizuam setin e parë fotografik dhe më tej në riadet apo resortet më në zë të vendit që përshtateshin aq shumë me “Heliumin”.

“Helium” është një projekt i parë sa i përket modës, pse mendon se do jetë i suksesshëm?

Sepse kjo ka qenë dëshira e përhershme jo vetëm e imja, por edhe e individëve që e kanë vlerësuar ndër vite stilin tim. Ndaj nuk i harroj fjalët e mësipërme të Alketes, sepse ishte ajo që më rizgjoi nga ajo ëndërr vegjetuese, të cilën nuk kisha kurajë ta nisja vetë. Për më tepër që modelet janë të përshtatshme për çdo lloj fiziku femëror, shumë të rehatshme dhe plot sharm njëkohësisht. Vishen në çdo moment të ditës apo natës, qoftë edhe për ndonjë event special, ashtu sikurse edhe për një fundjavë.

Pse “Helium”?

Sepse vetë ideologjia jonë është të ndihesh me këto veshje si në ajër, me fluiditet, me ndjeshmëri të këndshme. Kur e ke mbi lëkurë, ia ndien rrëshqitjen aq butësisht kësaj veshjeje sa gati-gati të përkëdhel me lehtësinë e saj, ndryshe nga çdo material tjetër. 100 për qind mëndafsh dhe me detaje unike të një dantelle po aq të butë, që e bën edhe më sensuale këtë veshje.

Bëhesh i pasur në Shqipëri duke u marrë me modë, fiton më shumë se nga muzika?

Unë të ardhurat e mia, kryesisht i kam pasur nga fashion biznes, sepse të tillë zgjedhje bëra, duke qenë ndoshta e detyruar nga realiteti që më përkon. Nuk kam pasur kurrë aktivitet artistik duke qenë prezente nëpër club-e apo evente të kesaj natyre dhe “comfort zone” ime ka qenë pikërisht fashion. Muzika është dashuria ime e pare, pa të cilën kurrsesi nuk do të isha kjo që jam sot.

Mëndafshi, pëlhura bazë e këtij koleksioni, lidhet gjithmonë drejtpërdrejt me lëkurën. Kaq intim është edhe frymëzimi yt për këtë linjë veshjesh?

Absolutisht që po, sepse pwr mua veshja nuk është thjesht fasadë, por lëkurë e dytë ku përtej asaj që shohim, çdokush prej nesh shfaq personalitetin nëpërmjet saj.

Si ka qenë bashkëpunimi me Livian, stilisten e Class By Av, ndani të njëjtat ide për veshjet?

Pa Livian, ky koleksion nuk do të ekzistonte. Ishte ajo që idetë e mia dhe të sajat i dizenjoi aq bukur dhe natyrshëm. Patëm menjëherë feeling me njëra-tjetrën dhe jam e lumtur që tashmë kam një mikeshë në jetën time dhe një vajzë kaq të rrallë e të talentuar si ajo pranë vetes.

Në një intervistë ekskluzive për Class, ke deklaruar se “je shumë e lumtur”, çfarë të lumturon kaq shumë jashtë asaj që shohim të gjithë?

E lumtur… sa e bukur dhe njëkohësisht e frikshme është kjo fjalë. Sepse asnjëherë nuk e di se sa është masa e lumturisë. Edhe atëherë kur ti je në paqe, e realizuar dhe e qetë, sërish tërhiqesh duke e menduar gjatë për të mos ndodhur e kundërta. Jeta më ka vënë në sprova të mëdha dhe prej tyre kam mësuar që ta pranoj dhe ta dua atë ashtu si më vjen, por duke mos harruar kurrë që të dua vetveten më së shumti dhe të vlerësoj e të pranoj dashurinë, përkushtimin, respektin që më dhurohet.

Frymëzimi për këtë projekt është një emër konkret, një vend real apo…?

Është thjesht “Helium” që më bën të ngjitem lart me ëndrrën time.

Si quhet?

Dashuri dhe pasion!

Alketa Vejsiu:  Një brand shqiptar 100 për qind mëndafsh

Jonida Maliqi, “Helium” dhe Class By AV, çfarë pritet të krijojë kjo trini?

Një koleksion të lehtë si pupël, si një tullumbac me helium, që të krijon ndjesinë e lehtësimit, fluturimit, komfortit, një ndjesi femërore, mëndafshi bëhet njësh me lëkurën, mëndafshi është një pëlhurë kaq sensuale dhe femërore. Është një koleksion që mund ta veshë çdo fizionomi vajze, pavarësisht gjatësisë, peshës, ngjyrës së lëkurës. Në mëndafsh, çdo vajzë shkëlqen dhe duket elegante dhe hyjnore.

Pse zgjodhët Marrakeshin për të prezantuar koleksionin e parë, çfarë morët prej andej?

Unë kam një vaj esencial “Trëndafili i Marokut” quhet “La Rossa Maroçhina”, që e pëlqej shumë. Ka qenë gjithmonë simboli që më çonte virtualisht në Marok. Trëndafilat i pëlqej shumë, më duken aq femërorë. Ato shatërvanët e Marokut me trëndafila notues më kishin lënë mbresa nga fotot që kisha kërkuar në Instagram. Kam një folder të pasur me “things to do before u die” dhe kjo ishte njëra ndër to.

Kisha parë filmin e stilistit Yves Saint Lauren dhe më kishte lënë mbresa ajo fraza “gjithçka para Marokut ishte e zezë”. Ky vend solli ngjyrat në krijimet e mia” dhe, në fakt, qyteti i kuq mes shkretëtirës dhe një civilizimi të hershëm ishte aq perfekt për të prezantuar një koleksion mëndafshi. Kaftanet dhe kimonot e mëndafshit e kanë origjinën nga aty. Në koleksionin tonë, mëndafshi vjen me cilësinë më të mirë, krahasuar me të gjitha variantet e tij në treg.

 “Helium” ose “Diell” (nga greqishtja – Helios), është simbol i transparencës, freskisë, elegancës. Pse e zgjodhët ju këtë emër, çfarë domethënieje ka?

E zgjodhëm, sepse “Helium” është i lehtë, është ajër, është oksigjen, është i freskët. Helios është diell, është dritë, është shkëlqim. Ajri dhe Dielli e plotësoi këtë binom të domosdoshëm të ekzistencës, uji ishim Jonida dhe unë, me idetë që rrjedhin në dy mendje që krijojnë. Njëra krijon, tjetra zhvillon dhe materializon.

Një koleksion i tërë prej mëndafshi nuk është i zakonshëm për modën në Shqipëri, çfarë ju bën të besoni se do të keni sukses?

Mendojmë që mëndafshi është sekret për një vajzë që të duket sensuale dhe elegante. Është një nga materialet më elegante që ekzalton elegancën femërore si asgjë tjetër. Garancia është cilësia e qepjes dhe realizimit dhe patjetër cilësia më e mirë e mëndafshit. Ka disa cilësi mëndafshi dhe kjo që kemi përdorur është ndër më cilësoret.

Çfarë prisni t’ju sjellë më shumë ky projekt?

Është një koleksion “Capsule”, që mund t’i hapë rrugën një tjetri. Po e procesojmë.

Cili është sekreti që Jonida nuk ta ka thënë, por ia ke zbuluar vetë (në lidhje me modën)?

Jonida mund të jetë një super Designer. Në modën shqiptare, me personazhin dhe shijen e saj unike, ka vendosur standarde, ka thyer barriera, por dhe e ka bërë Tiranën të duket më e bukur përmes fotove të saj.

Credits:

Globus Travel

Stiliste: Livia Myftari, Class By Alketa Vejsiu

Fotografia: Orsola Mema, Class Photography

Four Seasons Marrakech

Falënderime:

Amanjena Resort Marrakech

Mandarin Oriental Marrakech

El Fenn Marrakech


WhatsApp chat